Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

“Guxoni artistë! Ministria e Kulturës është këtu për t’ju mbështetur për çdo ide  tuajën. Rrezikuam për këtë eksperiment të parë të këtyre përmasave, sepse donim të vlerësonim skenën alternative tek Turbina, e cila në këtë Vox Machine është më shumë se funksionale ”- tha mes të tjerash Kumbaro.

Në datën 1 nëntor 2017 në mjediset e pambaruara të Skenës së Re- Turbina u hap ekspozita e veçantë e artistit Sadik Spahija, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të artistëve, artdashësve dhe kritikëve të artit. Kjo ekspozitë mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Artisti, Sadik Spahija, tregon se ka disa vite që punon për këtë projekt. Materialet e përdorura prej tij për realizimin e veprës janë mbetje industriale të marra nga fabrikat e periudhës së diktaturës.

Mesazhi i artistit lidhet me : “Me mënyrën sesi ne e ndërtojmë jetën tonë, sesi në periudha të caktuara sillemi karshi njëri-tjerit, sesi reagojmë karshi asaj që na rrethon, ndaj mjedisit. Ky vend ka qenë një laborator i rëndësishëm në disa muaj, ku së bashku me studentët kemi hulumtuar për të gjetur pikat e përbashkëta mes krijimit dhe ndërtimit”.

Vox Machine” është ideuar për këtë skenë nga artisti Sadik Spahija , kuruar nga Edi Muka në bashkëpunim me artistë të imazhit, lëvizjes, tingullit: Gjergj Prevazi, Hajg Zaharjan, Endri Sina, Ramazan Gurra, Akreoma Saliu, Robert Nuha, Fjorald Doci, Rosella Pellicciotti, Melissa Becovic.

“Një projekt i guximshëm, i cili mblodhi bashkë energjinë e krijimit dhe të ndërtimit, në këtë skenë të re, e cila vazhdon të njihet me emrin Turbina.  Një ekspozitë e cila na mbledh në një skenë të pambaruar, por që artisti Sadik Spahija na konfimon se nuk kemi gabuar me këtë projekt ndërtimi”- u shpreh Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro  në hapjen e  ekspozitës  Vox Machine.

Një thirrje për artistët drejtoi edhe artisti Klod Dedja duke u shprehur “Shembni mure dhe krijoni”, drejtues i Fondacionit  M.A.M,  një nga organizatorët  e kësaj ngjarjeje me përmasa të veçanta artistike në kryeqytet.

Kjo ekspo-instalacion sonor dhe performancë nga trupa e baletit, fokusohet në trashëgiminë materiale konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbylluara të para vitit 1990. Këto mbetje industriale të konsideruara nga artisti si produkt shoqëror me një kosto dhe tashmë si një dilemë ndërmjet asgjësimit dhe transformimit.

Projekti është konceptuar si një bashkëveprim i shumë faktorëve njerëzorë, ku integrohen jo vetem eksperienca profesionale por dhe përvoja njerëzore të mbartura në këto mbetje industriale. Gjatë ekspozimit kompozitori Hajk Zaharjan ka krijuar një pjesë instrumentale në krijimin e tingujve organike që përkojnë me iluzionin vizual të instrumenteve muzikore monumentale, të krijuar nga relikat industriale.

Turbina ka nisur “jetën artistike” akoma në ndërtim e sipër. E nisi me Mediterranea 18 – Young Artists Biennale, ku artistët shqiptarë e ndërkombëtarë u dashuruan me format e vëllimet e skenës së Turbinës, vazhdoi me forumin Forum Rebirth Tirana / Love Difference – i Mediterranei në idenë e Cittadellarte-Fondazione Pistoletto dhe tani ky kantier hyn në një bashkëjetesë artistike me një koncept nga artisti Sadik Spahija titulluar “Vox Machine” .

Ekspozita qëndron e hapur nga data 1-10 nëntor 2017.

Orari: 18:00-21:00

Vendi: Turbina, pranë shkollës “Petro Nini”{:}