Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

NJOFTIM PER MEDIAT

Në kuadër të shërbimeve që ofron Komisioni Europian me anë të Programit të Asistencës Teknike TAIEX/KE, Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA) është përfituese por dhe njëkohësisht dhe bashkë-organizatore e një workshopi ndër-Rajonal mbi “Sistemin e menaxhimit kolektiv” i cili do të mbahet nga data 15-17 Prill 2015 në Tiranë me pjesemarrjen e vendeve te Ballkanit Perendimor (Kosovë, Mal i Zi, Serbi, Bosnje Herzegovine, Maqedoni) për të ndarë eksperiencat përkatëse në këtë fushë dhe përmirësimin e sistemit në fjalë sa i takon vendeve të përfshira.

Qellimi i këtij eventi 3-ditor është  forcimi i gjithe sistemit të menaxhimit kolektiv i së Drejtës së Autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura me të në vendet e përfshira, duke përfituar më të mirën nga praktikat më të mira ndërkombëtare në mënyrë që të rritet  roli dhe transparenca e CMOs në vendet e Ballkanit perëndimor.

Lektori i ftuar për të prezantuar në këtë event është një nga personalitet më të shquar në fushën e të drejtës së autorit dhe specifikisht ate të menaxhimit kolektiv Z. Mihaly Fiscor  me një eksperiencë të konsiderueshme në fushën e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale si dhe hartues i kuadrit ligjor në vendet e rajonit.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë institucionet shtetërore zbatuese të të drejtave të pronësisë intelektuale të vendeve të këtij rajoni, si: Zyrat shtetërore të Markave dhe Patentave si dhe ato të të Drejtës së Autorit, Inspektoriatet e Tregut, Autoritetet Doganore dhe Tatimore, Policia e Shtetit, autorë, krijues, Agjensi të menaxhimit kolektiv te vendeve të cituara.

Pritet që takimin t`a përshëndesë Sekretaria e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës Znj. Elira Kokona.
Drejtori i ZSHDA, Z. Evien Dako  do të përshëndesë aktivitetin dhe do referojë një prezantim të shkurtër të aktivitetit të Zyrës dhe sistemin e menaxhimit kolektiv ne Shqipëri..

Ky aktivitet përveç natyrës së tij informuese për rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes që kanë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, ka si qëllim të tij përcaktimin e qartë të detyrave, rolet dhe sfidat e sotme te institucioneve të ndryshme shtetërore  në mbrojtjen dhe zbatimin e te drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me të.

Temat kryesore që do të referohen gjatë këtij seminari do të jenë që nga kuadri ligjor ndërkombëtar në fushën e menaxhimit kolektiv, direktiva e menaxhimit kolektiv të Komisionit Europian, TAG ( transparence, pergjegjesi dhe mire qeverisje ) kerkesa sipas Direktives per Menaxhimin Kolektiv; Te Drejtat e Autorit dhe Interneti – WIPO “Traktati i Internetit” dhe Direktiva 2001/29/EC ne harmonizimin e disa aspekteve te se drejtes se autorit dhe te drejtave te tjera lidhur me te ne shoqerine e informacionit si dhe e ardhmja e te drejtes se autorit dhe menaxhimit kolektiv ne pikepamjen e WIPO dhe studimeve, propozimeve e drafteve te EU

Një seminar me një temë bashkohore si ky, pra Mbrojtja dhe Menaxhimi i të drejtave të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të, është edhe një shenjë e një politike të mirë qeverisëse.
Duke kuptuar rëndësinë e këtij fakti shpresojmë që ky seminar të sjellë atë eksperiencë të vyer ndërkombëtare, për të saktësuar më tej nocionin e “menaxhimit kolektiv”.

Të drejtat e autorit, si një detyrim i MSA-së si dhe pjese e prioriteteve te fokusuara ne ambicjen politike te qeverisë Shqiptare, ka bërë hapa përpara dhe progresi ndihet, por kjo nuk mbaron me një progres thjesht politik dhe legjislativ.

Ne shpresojme dhe jemi te bindur se me ritme te shpejta, politikat e zhvillimit të Shtetit ligjor dhe të së drejtës, në drejtim të mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke marrë në konsideratë konsulencën dhe mbështetjen e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, të Komisionit Europian do të jenë më frytëdhënëse e  më të prekshme, edhe pas këtij seminari.

Mbrojtja e të drejtës së autorit, në Shqipëri është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë dhe e organzuar në një ligj bashkohor!

Ndryshimi i mentalitetit dhe dëshira për të zbatuar një ligj, lidhen ngushtësisht me njëra tjetrën, një menaxhim kolektiv i fortë, i besueshëm dhe i standarteve ndërkombëtare, institucione, të cilat, zbatojnë me përkushtim ligjin dhe përpara tij, jemi të gjithë të barabartë, por edhe të garantuar, subjekte të ligjit, të cilët, investojnë vlera monetare, për të bërë të mundur përcjelljen dhe për të sjellë një produkt intelektual bashkëkohor, janë vlerat më të padiskutuara, harmonizimi i të cilave do të sjellë një fitore të sigurtë të mbrojtjes së të drejtave moral-ekonomike të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të, kundër çdo lloj shkeljeje apo cënimi të tyre!

Besojmë se ky seminar do të kontribuojë shumë në zhvillimin e të drejtave dhe krijimin e një realiteti të ri, si ky I ndryshimeve që sjell teknologjia, pra Mbrojtja dhe Menaxhimi Kolektiv I të drejtave të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të,  në epokën  dixhitale!

Zyra e shtypit / ZSHDA{:}