Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Koordinatori i TİKA Tiranë z. Necip Özay Özütok, drejtoresha e IMK-së, znj. Arta Dollani, së bashku me anëtarët e këshillit të ministrave dhe deputetë vizituan Xhaminë e Mbretit në Berat, ku inspektuan dhe morën informacion rreth punimeve të restaurimit. Një marrëveshje bashkëpunimi e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam ti nënshtrohen ndërhyrjes restauruese. Gjatë vitit 2018 nis zbatimi i disa projekteve të restaurimit, investime të rëndësishme, në tre prej objekteve të kultit në Berat: 1. Projekt restaurimi i Xhamisë Mbret, 2. Projekt restaurimi i Xhamisë së Beqarëve 3. Projekt restaurimi i Teqesë Helvetive, Ky projekt realizohet nga IMK, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA, Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX.Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare. Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale – Konservimin dhe restaurimin e piktures murale – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj. – Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes. Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit. Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj. – Restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë – Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes. 3. Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet ‘40 dhe ’50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument. Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë që datojnë në të njëjtën periudhe me ndërtimin e vetë objektit. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: – Konsolidimin strukturor të monumentit – Restaurimin e çatisë – Punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë – Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë – Instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.{:}