Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

[metaslider id=2401]

Ekspozita e titulluar “ZOOM – 7 x Art Fotografik nga Dyseldorfer”, u hap sot paradite në hollin qendror të Muzeut Kombëtar, me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës,znj. Mirela Kumbaro, ambasadorja gjermane, znj Susanne Schütz dhe znj. Anduena Stephan, Konsulle e Nderit e Shqipërisë në Gjermani.

Në fjalën e saj, Kumbaro vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë sa i takon projekteve kulturore, ku theksoi se kjo ekspozitë e veçantë, vjen si një ritakim me kulturën gjermane, pas nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët kulturore me Gjermaninë, vitin e kaluar.

“Ritakohemi me kulturën gjermane jo rastësisht, por një vit pasi nënshkruam me qeverinë gjermane marrëveshjen e përbashkët kulturore, e cila sot është një marrëveshje në aksion, e që po bëhet reale falë kontributit të artistëve. Ne organizuam vitin që shkoi nëntorin shqiptar në Gjermani, i cili kulmoi në Dyseldorf, ndërsa sot, kemi këtu artistë gjermanë që na flasin ne. Por ky nuk është i vetmi program. Vitin tjetër do të vazhdojmë me gjini të tjera. Do ta shtrijmë këtë bashkëpunim edhe në fushën e librit”.

Ndërsa ambasadorja gjermane u ndal tek rëndësia e shkollës gjermane së fotografisë, ku theksoi se zhvillimi i artit të fotografisë bashkëkohore është i lidhur ngushtë me Dyseldorfin dhe, se kjo shkollë fotografie është bërë një shkollë e njohur në të gjithë botën.

Vendosja e ekspozitës në hollin qendror të Muzeut Kombëtar në Tiranë ka një simbolikë të veccantë. Ekspozita vetë është si një rrugëtim mes historish dhe fatesh njerëzore në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Kështu nga imazhet artistike të Normandisë që ende ruajnë gjurmët e Luftës së Dytë Botërore, tek pyjet me vegime të çuditshme e deri tek momente jete nga Sheshi Tiannanmen në Pekin, një shesh me një histori të veccantë, artdashësit shqiptarë do të kenë mundësinë të njihen me një mënyrë tjetër të perceptimit, fotografimin apo iluminimit të realitetit objektiv. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor, ku publiku mund të shijojë veprat e artistëve, Christine Ehrhard, Jorg Paul Janka, Julia Kernbach, Matthias Koch, Christian Konrad, Juergen Staack, Katja Stuke.

Ky është projekti i katërt kulturor gjermano-shqiptar, i mundësuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Zyra e Kulturës e Kryeqytetit të Landit Dyseldorfit.{:}