Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Zv. Ministri Sokol Duma, në takimin e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, prezantoi projektligjin e “Paketës së Maleve”, një nismë strategjike për nxitjen e investimeve, fuqizimin e sipërmarrjes dhe zhvillimin e ekonomisë malore.
Prioriteti kryesor i kësaj pakete është krijimi i kushteve të favorshme për investitorët, bizneset dhe fermerët, duke ofruar lehtësira fiskale, infrastrukturë të përmirësuar dhe mbështetje konkrete për zhvillimin ekonomik të zonave malore.
Paketa krijon incentiva për zhvillimin e turizmit malor, bujqësisë dhe industrive të qëndrueshme, duke përfituar nga burimet natyrore dhe potenciali i jashtëzakonshëm i këtyre zonave.
Përmes lehtësirave fiskale për 10 vite dhe një mjedisi më të favorshëm për biznesin, inkurajohet rritja e aktiviteteve ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës.
Një mundësi e re për shqiptarët jashtë vendit për të investuar në tokën e tyre, duke krijuar një urë të fortë ekonomike midis Shqipërisë dhe komuniteteve të saj jashtë kufijve.
Projektligji parashikon gjithashtu kalimin e pronësisë me tarifën simbolike prej 1€ për poseduesit faktikë, duke krijuar siguri ligjore për investitorët dhe hapësirë të qartë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.
Kjo paketë nuk është thjesht një reformë, por një vizion për një ekonomi malore konkurruese, ku investimi dhe sipërmarrja gjejnë mbështetje reale dhe afatgjatë.