Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Zv. Ministrja Olta Manjani në Komisionin për Çështjet Europiane prezantoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit me Komisionin Evropian për programin shumëvjeçar “BE për Punësimin e të Rinjve”, në kuadër të IPA III për periudhën 2024–2027. Ky është programi më i madh i dedikuar ndonjëherë punësimit të të rinjve në Shqipëri dhe përfaqëson një angazhim konkret për përfshirjen aktive të tyre në tregun e punës, një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë për të përmbushur standardet sociale dhe ekonomike të BE-së, në kuadër të përmbushjes së kritereve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ky program garanton një mbështetje financiare prej 63 milionë euro, e cila synon zgjerimin kombëtar të Skemës së Garancisë Rinore, që deri më sot ka përfshirë 1,082 të rinj në 3 rajone pilot (Tiranë, Shkodër, Vlorë), me 71% prej tyre të integruar në punësim, arsim apo formim profesional brenda 4 muajve nga regjistrimi.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rinisë dhe reduktimit të fenomenit NEET në Shqipëri nga 26.1% në 15% deri në vitin 2030.