Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Informacionet nga sistemi dhe raportimet në media nga ky sektor flasin jo aq për një sistem krejt të gabuar sesa për një abuzim të frikshëm të sistemit, për një neglizhencë dhe zvarritje të menaxhimit në të gjitha instancat, devijime dhe shkelje të ligjit nga njerëz brenda sistemit, që e kanë keqpërdorur me dashje ose prej paaftësisë.
Pikërisht për këto arsye, trashëgimia kulturore ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi në përputhje me detyrat dhe për korrektim në përputhje me vizionin e ri.

Për këtë duhet kryer menjëherë diagnostikimi i detajuar dhe fizik i gjendjes së trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin. Vetëm pas një analize të thelluar faktike, institucionale dhe ligjore mund të vazhdohet me plane zhvillimi afatgjata. Ky vizion do të shprehet në:
1) përgatitjen e një strategjie kombëtare, duke përfshirë të gjithë aktorët e fushës;
2) ristrukturimin e burimeve njerëzore sipas kompetencave të tyre konkurrenciale;
3) riorganizimin e zyrave rajonale dhe të rrjetit kombëtar të muzeve;
4) përditësimin e rregullt dhe rigoroz të listës, si dhe verifikimin e statusit të monumenteve të shpallura dhe atyre të propozuara për heqje nga lista;
5) përpilimin e një harte risku për të gjitha monumentet e veçanta, por edhe për qendrat historike dhe parqet arkeologjike;
6) përkufizimin më të saktë të kompetencave dhe të funksioneve të institucioneve të rrjetit;
7) rishikimin e hierarkisë së institucioneve qendrore dhe këshillave kombëtare që ekzistojnë brenda sistemit të trashëgimisë kulturore dhe riorganizimin e të gjitha procedurave të vendimmarrjes së tyre;
8) rishikimin në një dritë më të qartë ligjore të kushteve në të cilat janë dhënë në përdorim objektet e trashëgimisë kulturore;
9) ngritjen e një grupi të posaçëm pune për shqyrtimin e të gjitha rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe përgatitjen e një plani veprimi energjik, në përputhje me skadencat e dhëna nga UNESCO, e cila e ka futur Shqipërinë në një periudhë dyvjeçare prove për ruajtjen e statusit të mbrojtur nga UNESCO për Gjirokastrën dhe Beratin;
10) ndërtimin e një strategjie të re koordinimi dhe monitorimi  të projekteve me donatorët në parqet arkeologjike dhe qendrat historike; në bashkëpunim me ta do të zhvillohen partneritetet PP për rijetësimin kulturor e social të tyre, duke garantuar transparencë, monitorim dhe mbrojtje e restaurim të qendrave të trashëgimisë kulturore;
11) përmirësimin e kuadrit ligjor për trashëgiminë kulturore;
12) verifikimin e denoncimeve të bëra në media lidhur me dëmtimet e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me policinë e shtetit, si dhe ndjekjen me rreptësi të të gjitha ngjarjeve; hartimin e një marrëveshjeje për të specifikuar mekanizmat e represionit kundër krimit mbi trashëgiminë kulturore, për të trajnuar njësi speciale të policisë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore;
13) organizimin e fushatave sensibilizuese, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe median, për mbrojtjen e monumenteve të kulturës nëpërmjet denoncimeve me telefon dhe me foto në linjë e në media;
14) frymën e tërësishme të MK, si në qendrat arkeologjike edhe në rrjetin e muzeve, ku modeli i parë do të fillojë me Muzeun Historik Kombëtar, i cili do të kthehet në një qendër të gjallë aktivitetesh për nxënësit dhe të rinjtë duke forcuar rolin e vet edukativ me vlerat kombëtare, me njohjen e historisë, me shijet estetike dhe me qëndrimet qytetare;
15) rivlerësimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, e harruar deri sot, që do të shërbejë jo vetëm si një rigjallërim i jetës kulturore dhe sociale në të gjithë territorin, por edhe si një bazë e bashkëpunimit kulturor ndërkufitar dhe ndërajonal, i cili do të jetë prioritar për MK;
16) ndërtimin e një plani për restaurimin dhe rijetësimin e disa monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë së vonët historike, si piramida, Teatri i Kukullave dhe Teatri Kombëtar.