Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Sokol Duma, prej muajit Mars 2024, mban pozicionin e Zëvëndës Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Me një formim në shkenca ekonomike dhe një përvojë disavjeçare në menaxhim projektesh, administrim, publicistikë, aktivitete, duke përfshirë role si kryeredaktor dhe kurator i botimeve të shumta, Sokoli ka spikatur që herët në drejtimin e programeve novatore, veçanërisht në ekosistemet e mobilitetit dhe industrisë automotive.
Sokoli ka qenë një forcë shtytëse pas nismave pioniere të shërbimeve të transportit rrugor dhe rritjes së standardeve të sigurisë rrugore. Kontributi i tij është shquar në projekte madhore si AutoMotoPark, iniciativë që do të transformojë panoramën e motorsportit në Shqipëri, në organizimin e suksesshëm të dy edicioneve të Automotive Fair Albania, panairit të parë ndërkombëtar të automobilave në vend, katalizator për rritjen e industrisë automotive në rajon, në formësimin e një kuadri rregullator gjithëpërfshirës për mjetet historike, si dhe organizimin e eventeve të shumta për Retro Albania, sensacion kulturor frymëzues për ruajtjen e trashëgimisë sonë industriale.
Ekspertiza e tij shtrihet edhe në konceptimin e produkteve risi, riinxhenierimin e shërbimeve publike, derregullimin apo aktet nënligjore, çka u jetëzua në revolucionin që sëbashku me ekipin ndërmorrëm gjatë viteve në drejtimin reformues të Automotorizimit Shqiptar (DPSHTRR).

Ndjeshmëria e tij e mprehtë, talenti analitik e profesionalizmi i dalluar, sollën hartimin e materialeve cilësore për botime zyrtare formuese për përgatitjen e drejtueseve të mjeteve, duke dhënë një shtysë në rritjen e standardeve të edukimit mbi trafikun dhe nxitjen e një kulture të re ndërgjegjësimi mbi sigurinë rrugore.