Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ofron për herë të parë mundësinë e mbështetjes financiare për programet vjetore të organizatave kulturore, duke synuar forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Kjo mbështetje fokusohet në organizatat jofitimprurëse që janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe veprojnë në fushën e kulturës dhe artit, duke i mundësuar atyre të realizojnë projekte që kontribuojnë në zhvillimin e skenës së pavarur kulturore dhe forcimin e kapaciteteve të tyre.

Mbi të gjitha, kjo thirrje mbështet organizatat që:

  • Forcojnë rolin e skenës së pavarur kulturore: Organizatat e mbështetura do të jenë në gjendje të zhvillojnë projekte që kontribuojnë në fuqizimin e skenës së pavarur, duke angazhuar artistë të rinj dhe të krijojnë mundësi për një zhvillim më të qëndrueshëm të politikave kulturore.
  • Rrisin cilësinë e krijimtarisë artistike: Ofrimi i mbështetjes financiare do të ndihmojë organizatat të zhvillojnë dhe zbatojnë projekte që synojnë përmirësimin e cilësisë së krijimtarisë artistike. Kjo mund të përfshijë aktivitete që sfidojnë kufijtë e artit tradicional dhe inkurajojnë inovacionin dhe eksperimentimin në fushën kulturore.
  • Mbështesin talente të reja dhe artistë të pavarur: Ky program ofron mundësi për organizatat të krijojnë platforma dhe mundësi për promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e karrierave të artistëve të pavarur, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të pasur të artit dhe kulturës.
  • Fuqizojnë kapacitetet e organizatave kulturore: Mbështetja financiare i mundëson organizatave të përmirësojnë kapacitetet e tyre menaxheriale, si dhe t’i forcojnë ato në drejtim të zhvillimit të projekteve të qëndrueshme. Kjo mund të përfshijë trajnime, mundësi zhvillimi dhe përmirësime të infrastrukturës.
  • Krijojnë mundësi për punësimin e profesionistëve të rinj: Organizatat mund të ofrojnë mundësi për të rinjtë që të fillojnë karrierën e tyre në art dhe kulturë, duke u mundësuar atyre të punojnë në projekte që mbështesin zhvillimin e krijimtarisë artistike dhe trashëgimisë kulturore.

Kategoritë e Thirrjes “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave”

Thirrja “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave” ndahet në 2 kategori kryesore. Për çdo kategori aplikohen fonde të ndryshme financimi.

Dy kategoritë janë:

Kategoria I: Mbështetje vjetore për Organizata Jofitimprurëse me Përvojë të Pasur në Fushën e Kulturës

Në këtë kategori përfshihen Organizatat JoFitimprurëse (OJF) që kanë një eksperiencë të konsoliduar dhe një CV të pasur shumëvjeçare, me një strategji dhe vizion të qartë për zhvillimin e mëtejshëm. Mbështetja e MEKI do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre organizatave, duke fuqizuar kapacitetet e tyre profesionale dhe teknike.

  • Fondi: 3,500,000 – 4,000,000 lekë
  • Afati i aplikimit: 7 Shkurt 2025, ora 14:00
  • Karakteristikat:
  • Bashkëpunime të qëndrueshme me artistë vendas dhe të huaj
  • Kalendar vjetor dhe programe të pasura kulturore
  • Përmirësimi i cilësisë artistike të aktiviteteve kulturore
  • Krijimin e mundësive për punësim të qëndrueshëm të artistëve, të rinjve
  • Përfshirjen e programeve edukative që përfshijnë grupmosha të ndryshme, duke ofruar mundësi zhvillimi dhe rritje kapacitetesh.

Kategoria II: Mbështetje Vjetore për Organizatat për Aktivitetet Kulturore dhe Edukative në Komunitet

Kategoria II ofron mbështetje për organizatat që realizojnë aktivitete kulturore dhe edukative të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së komunitetit, me fokus në zhvillimin e aftësive krijuese për grupe të ndryshme shoqërore si fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe grupet vulnerabël. Ndërsa Kategoria I është më e fokusuar në mbështetje për organizatat me përvojë të pasur dhe një strategji të konsoliduar, Kategoria II është më e orientuar drejt përfshirjes dhe zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe edukative që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit dhe përfshijnë një audiencë të gjerë dhe të larmishme.

  • Fondi: 2,000,000 – 2,500,000 lekë
  • Afati i aplikimit: 7 Shkurt 2025, ora 14:00
  • Karakteristikat
  • Mbështetje për aktivitete kulturore dhe edukative që promovojnë zhvillimin e aftësive krijuese për fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe grupet vulnerabël.
  • Fokus në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe edukative që integrojnë artin dhe kulturën në jetën e përditshme të komunitetit.
  • Pasurimin e aktiviteteve kulturore pranë qendrave kulturore në qytete të ndryshme.
  • Mbështetje për projekte që promovojnë trashëgiminë kulturore lokale dhe artin bashkëkohor, me një ndikim të drejtpërdrejtë në nivel lokal.

Fondi për Thirrjen “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave”

Fondi total i kësaj thirrje është 60,000,000 lekë. Në varësi të aplikimeve, vlerësimit të tyre sipas sistemit të pikëzimit nga Komisioni i Vlerësimit, kategorizimit të aplikimeve sipas dy kategorive, do të përcaktohet dhe numri i fituesve.

Ku dhe kur duhet të dorëzohet paketa e aplikimit?

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje elektronike në adresën kultura@meki.gov.al me subjekt: Thirrje “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave”, të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Afati maksimal për dorëzimin e aplikimeve është 7 shkurt 2025, ora 14:00.

Adresa: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

E-mail: kultura@meki.gov.al

Kur do të shpallet lista e fituesve?

Shpallja e listës së fituesve në faqen zyrtare të MEKI (www.meki.gov.al) do të publikohet në datën 3 mars 2025. Çdo ndryshim afati, do të njoftohet në faqen zyrtare dhe në platformat zyrtare.

Aktivitetet që do të mbështeten nga thirrja, duhet të zhvillohen brenda periudhës 17 mars – 14 nëntor 2025.

 

Sesionet informuese dhe orientimi i aplikantëve

Në vazhdimësi, MEKI do të publikojë në www.meki.gov.al dhe në platformat sociale kalendarin e sesioneve informuese në qytete të ndryshme, si dhe materiale informuese për të orientuar të gjithë aplikantët.

Për çdo pyetje, të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën kultura@meki.gov.al ku brenda 5 ditëve (pune) do të marrin përgjigje. Afati për të dërguar pyetjet, është deri në datën 31 janar 2025, përderisa afati maksimal i aplikimit është 7 shkurt 2025.

Lista e dokumenteve që duhet të shkarkoni dhe të dorëzoni

Procesi i aplikimit

    1. Udhëzuesi dhe Prioritetet për Thirrjen 2025
    2. Lista e dokumenteve shoqëruese
    3. Deklarata e Financimit të Dyfishtë_2025
    4. Deklarata e Konfliktit të Interesit
    5. Deklarata e te Drejtës së Autorit_2025
    6. Formulari i Aktiviteteve 2025
    7. Formulari i Aplikimit 2025
    8. Formulari i Projekt-Buxhetit 2025

 

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përditësuara, jo më vonë se 3 muaj nga afati i aplikimit.

  • Dokumentet e Kërkuara për OJF-të
  1. Kopje e Statutit/Vendimit të Gjykatës të Organizatës;
  2. Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
  3. CV/portofol i organizatës;
  4. CV-të e anëtarëve të grupit të punës, përgjegjës për zbatimin e projektit;
  5. Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që organizata nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  6. Vërtetim nga Prokuroria që administratori i organizatës/personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  7. Vërtetim i llogarisë bankare të organizatës në ALL (lekë).
  8. Kopje e Pasqyrave financiare të OJF-së për vitin 2024, të firmosur nga një kontabilist i miratuar ose financieri zyrtar i OJF-së sipas kritereve ligjore në fuqi, përveç rasteve nëse organizata është themeluar përgjatë këtij viti.

A do ketë thirrje të tjera për mbështetjen e artit, kulturës dhe trashëgimisë?

Krahas Thirrjes “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave”, MEKI do të publikojë dhe thirrjet e tjera në vijim:

  • Ngjarje Kulturore dhe Krijuese: Festivale, Evente dhe Panaire që pasurojnë Kalendarin Kulturor 2025 (afati i aplikimit deri në 7 shkurt 2025)
  • Fondi i Artizanëve (hapet në Shkurt 2025)
  • Fondi i Krijimtarisë ose Fondi i Prodhimit Krijues për artistët (hapet në Shkurt 2025)
  • Fondi i Përfaqësimit Kombëtar dhe Mobilitetit (hapet në Shkurt 2025)

Në vitin 2025, Programi Kombëtar i Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë do të prezantojë kategori të ndryshme aplikimi, në mënyrë që dhe individët dhe organizatat të kenë mundësi të ndryshme për të aplikuar.

Shënim: Aplikanti fitues shpallet vetëm një herë fitues në një nga thirrjet e shpallura nga MEKI gjatë një viti kalendarik. Pra, aplikanti mund të aplikojë në disa thirrje të MEKI-t, por mund shpallet fitues vetëm një herë.