Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) hap thirrjen e parë për projekte kulturore dhe do të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga individë, persona fizikë dhe organizata jofitimprurëse, të regjistruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre fuqizimin e rolit të skenës së pavarur në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, promovimin dhe mbështetjen e talenteve të reja dhe fuqizimin e kapaciteteve në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, promovimin dhe rrjetëzimin e produktit vendas kulturor si produkt konkurrues në tregun e industrisë kreative.

Kategoria e parë e thirrjeve për grante është “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese – Festivale, Evente dhe Panaire që pasurojnë Kalendarin Kulturor 2025” që synon:

  • Promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore përmes rritjes së cilësisë artistike, diversifikimit dhe shpërndarjes gjeografike të skenës së pavarur;
  • Nxitjen e krijimtarisë artistike të artistëve të rinj;
  • Ndërkombëtarëzimin dhe bashkëpunimin kulturor mes artistëve, kuratorëve dhe krijuesve në fushën e artit dhe kulturës;
  • Mbështetjen dhe fuqizimin e industrisë kreative dhe krijimtarisë kulturore;
  • Edukimin e publikut, të rinjve dhe fëmijëve në veçanti përmes artit dhe kulturës, rritja e ndërgjegjësimit për çështje sociale, mjedisore dhe ekologjike përmes artit;
  • Promovimin e Shqipërisë si destinacion kulturor dhe turistik në hartën ndërkombëtare kulturore dhe turistike.

Kategoritë e Thirrjes për Ngjarje Kulturore dhe Krijuese

Thirrja “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese: Festivale, Evente dhe Panaire që pasurojnë Kalendarin Kulturor 2025” ndahet në 3 kategori kryesore, sipas karakteristikave dhe impaktit të organizimit të eventit. Për çdo kategori aplikohen fonde të ndryshme financimi.

Tre kategoritë janë:

I: Ngjarje kulturore të mëdha dhe të qëndrueshme

II: Ngjarje kulturore që ndihmojnë në zhvillimin e artit lokal

III: Aktivitete kulturore për komunitetin

 

Çfarë parashikon çdo kategori?

Kategoria I: Ngjarje kulturore të mëdha dhe të qëndrueshme

Ngjarje kulturore që kanë një impakt të gjerë dhe janë të njohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, e që janë kthyer në një traditë të qëndrueshme organizimi duke ndikuar në zhvillimin e turizmit kulturor dhe promovimin e kulturës.

  • Fondi: 2,000,000-2,500,000 lekë
  • Afati i aplikimit: 7 shkurt 2025, ora 14:00
  • Kush mund të aplikojë: Organizata Jofitimprurëse (OJF)

Karakteristikat:

  • Shtrirje e gjerë gjeografike
  • Audiencë e gjerë pjesëmarrësish
  • Organizim disa-ditor
  • Angazhim i artistëve dhe krijuesve, të huaj dhe shqiptarë
  • Impakt kombëtar dhe ndërkombëtar
  • Aktivitete multidisiplinore
  • Angazhim i të rinjve, grupeve vullentare, studentë

Shembuj: festivale, koncerte, shfaqje, ekspozita, konkurse, panaire dhe aktivitete edukative të nivelit të lartë.

Kategoria II: Ngjarje kulturore që ndihmojnë në zhvillimin e artit lokal

Ngjarje me ndikim të rëndësishëm për komunitetet lokale të cilat kanë një shtrirje më të kufizuar sesa kategoria e parë, por gjithashtu janë të njohura dhe ndihmojnë në zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytetet apo zonat ku zhvillohen.

  • Fondi: 1,000,000-2,000,000 lekë
  • Afati i aplikimit: 7 shkurt 2025, ora 14:00
  • Kush mund të aplikojë: Organizata Jofitimprurëse (OJF)
  • Karakteristikat:
  • Ngjarje me rëndësi për qytete e zona specifike
  • Aktivitetet janë më të fokusuara dhe mund të jenë më të përqendruara në një sektor të caktuar të kulturës (p.sh. folku dhe tradita, artet vizuale, letërsia, teatri, shfaqje, etj.)
  • Ndihmojnë në promovimin e krijuesve dhe artistëve lokalë dhe mund të mbështesin zhvillimin e kulturës në qytete ose rajone të caktuara

Kategoria III: Aktivitete kulturore për komunitetin

Këto janë ngjarje që zhvillohen me shpesh, por që kanë një shtrirje më të kufizuar dhe zakonisht përfshijnë audienca lokale ose grupet e interesuara. Ato mund të jenë pjesë e aktiviteteve më të vogla që pasurojnë jetën kulturore të një qyteti, ose një komuniteti të caktuar. Ato janë të rëndësishme për stimulimin e aktiviteteve kulturore dhe për të sjellë artistët dhe krijuesit më afër publikut.

  • Fondi: 500,000-1,000,000 lekë
  • Afati i aplikimit: 7 shkurt 2025, ora 14:00
  • Kush mund të aplikojë: Organizata Jofitimprurëse (OJF)/Individ/ Person Fizik
  • Karakteristikat:
    • Shtrirje lokale (në qytet ose fshat të caktuar).
    • Aktivitetet janë më të vogla, shpesh të organizuara nga grupe lokale
    • Në vëmendje të veçantë për grupet e interesit si: fëmijët, të moshuarit, grupet vulnerabël
    • Mund të mbështesin krijimin dhe ekspozimin e talenteve të reja dhe janë shpesh mundësi për individët të shprehin veten artistikisht

Fondi për Thirrjen “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese 2025”

Fondi total i kësaj thirrje është 100,000,000 lekë. Në varësi të aplikimeve, vlerësimit të tyre sipas sistemit të pikëzimit nga Komisioni i Vlerësimit, kategorizimit të aplikimeve sipas tre kategorive, do të përcaktohet dhe numri i fituesve.

Kush mund të aplikojë në këtë thirrje?

Siç është shpjeguar dhe te kategoritë e mësipërme, organizatat kulturore që operojnë në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore mund të aplikojnë te një nga tre kategoritë (I. Ngjarje kulturore të mëdha dhe të qëndrueshme, II. Ngjarje kulturore që ndihmojnë në zhvillimin e artit lokal, III. Aktivitete kulturore për komunitetin) duke konsideruar kriteret që duhet të plotësohen sipas kategorisë.

Ndërsa individët dhe personat fizik, mund të aplikojnë vetëm në kategorinë III “Aktivitete kulturore për komunitetin”, të cilat konsiderohen si aktivitete më të vogla, të realizueshme nga individë.

Ku dhe kur duhet të dorëzohet paketa e aplikimit?

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje elektronike në adresën kultura@meki.gov.al me subjekt: Thirrje “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese, të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Afati maksimal për dorëzimin e aplikimeve është 7 shkurt 2025, ora 14:00.

Adresa: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

E-mail: kultura@meki.gov.al

Kur do të shpallet lista e fituesve?

Shpallja e listës së fituesve në faqen zyrtare të MEKI (www.meki.gov.al) do të publikohet në datën 3 mars 2025. Çdo ndryshim afati, do të njoftohet në faqen zyrtare dhe në platformat zyrtare.

Aktivitetet që do të mbështeten nga thirrja, duhet të zhvillohen brenda periudhës 17 mars – 14 nëntor 2025.

Sesionet informuese dhe orientimi i aplikantëve

Në vazhdimësi, MEKI do të publikojë në www.meki.gov.al dhe në platformat sociale kalendarin e sesioneve informuese në qytete të ndryshme, si dhe materiale informuese për të orientuar të gjithë aplikantët.

Për çdo pyetje, të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën kultura@meki.gov.al ku brenda 5 ditëve (pune) do të marrin përgjigje. Afati për të dërguar pyetjet, është deri në datën 31 janar 2025, përderisa afati maksimal i aplikimit është 7 shkurt 2025.

Lista e dokumenteve që duhet të shkarkoni dhe të dorëzoni

Dokumente për aplikim (të vlefshme për të gjitha kategoritë)

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përditësuara, jo më vonë se 3 muaj nga afati i aplikimit.

  • Dokumentet e Kërkuara për OJF-të
  1. Kopje e Statutit/Vendimit të Gjykatës të Organizatës;
  2. Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
  3. CV/portofol i organizatës;
  4. CV-të e anëtarëve të grupit të punës, përgjegjës për zbatimin e projektit;
  5. Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që organizata nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  6. Vërtetim nga Prokuroria që administratori i organizatës/personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  7. Vërtetim i llogarisë bankare të organizatës në ALL (lekë).
  • Dokumentet e Kërkuara për Personat Fizik
  1. Kopje e Certifikatës së Regjistrimit dhe Ekstrakt Historik nga QKB;
  2. CV/portofol i aplikantit;
  3. CV-të e anëtarëve të grupit të punës, përgjegjës për zbatimin e projektit;
  4. Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që aplikanti nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  5. Vërtetim nga Prokuroria që personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  6. Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë).
  • Dokumentet e kërkuara për Individët
  1. CV-të e Individit apo Grupit të Individëve që do të angazhohet në projekt (nëse bëhet fjalë për më shumë se një individ);
  2. Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë);
  3. Vërtetimi nga Tatimet që Individi apo Grupi i Individëve nuk është/janë i/të regjistruar në asnjë organ tatimor të Republikës së Shqipërisë;
  4. Vërtetim nga Prokuroria që personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. Fotokopje e Kartës së Identitetit të Individit/ Grupit të Individëve që do të angazhohen në projekt.

 

A do ketë thirrje të tjera për mbështetjen e artit, kulturës dhe trashëgimisë?

Krahas Thirrjes “Ngjarje kulturore dhe krijuese”, MEKI do të publikojë dhe thirrjet e tjera në vijim:

  • Mbështetje e programeve kulturore për organizatat (afati i aplikimit deri në 7 shkurt 2025)
  • Fondi i Artizanëve (hapet në Shkurt 2025)
  • Fondi i Krijimtarisë ose Fondi i Prodhimit Krijues për artistët (hapet në Shkurt 2025)
  • Fondi i Përfaqësimit Kombëtar dhe Mobilitetit (hapet në Shkurt 2025)

Në vitin 2025, Programi Kombëtar i Granteve për Kulturën dhe Krijimtarinë do të prezantojë kategori të ndryshme aplikimi, në mënyrë që dhe individët dhe organizatat të kenë mundësi të ndryshme për të aplikuar.

Shënim: Aplikanti fitues shpallet vetëm një herë fitues në një nga thirrjet e shpallura nga MEKI gjatë një viti kalendarik. Pra, aplikanti mund të aplikojë në disa thirrje të MEKI-t, por mund shpallet fitues vetëm një herë.