Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ofron mundësinë e mbështetjes financiare për mobilitetin dhe përfaqësimin kombëtar të artistëve. Kjo Thirrje ka si qëllim mbështetjen e artistëve, grupeve të artistëve dhe shoqata kulturore që përfaqësojnë vendin tonë në skena ndërkombëtare. Këto grante ndihmojnë në mbulimin e kostove të udhëtimit, akomodimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme artistike, si ekspozita, panaire, festivale, rezidenca apo konferenca.

Kjo Thirrje synon mbështetjen e nismave individuale dhe/apo kolektive për pjesëmarrje në aktivitete kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim promovimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Çfarë parashikon çdo kategori?

Granti për mobilitetin është një risi e Thirrjes 2025, dhe përmes tij mbështeten financiarisht:

 Shpenzimet e udhëtimit, transportit

  • Akomodimi
  • Tarifën për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare
  • Hapësirat e prezantimit (në raste ekspozitash), etj.

Projekt-propozimet në këtë kategori, duhet të synojnë përfshirjen e komunitetit, veçanërisht rinjtë, të moshuarit, vajzat dhe gratë, personat me aftësi të veçanta, pakicat kombëtare, komunitetin LGBTQIA+, etj.

Prioritetet e kësaj thirrje janë:

  • Pjesëmarrje e artistëve shqiptarë në aktivitete ndërkombëtare,
  • Promovimi i kulturës dhe artit shqiptar përmes pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë në ngjarje kulturore ndërkombëtare.
  • Nxitja e partneriteteve ndërkombëtare në fushën e artit, kulturës dhe industrisë kreative

 

Fondi për Thirrjen “Përfaqësimi Kombëtar dhe Mobiliteti” 2025

 Fondi total për mbështetjen e thirrjes “Fondi për Përfaqësimin Kombëtar dhe Mobilitetin” është 20.000.000 (njëzet milion) lekë.

 

Kush mund të aplikojë në këtë thirrje?

Aplikimi është i hapur për organizata jofitimprurëse (OJF), individët, artistët, personat fizikë që operojnë në fushën e artit dhe krijimtarisë artistike, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Kriteret e përgjithshme:

  • Të jenë shtetas shqiptarë.
  • Të mos ketë financim të dyfishtë në zërat e buxhetit nga donatorë të tjerë.
  • Të mos ketë konflikt interesi mes aplikantit dhe institucionit publik. Punonjësit e MEKI-t apo institucioneve në varësi të saj nuk mund të aplikojnë.
  • Drejtuesit ekzekutiv të OJF nuk mund të aplikojnë si individë në këtë kategori.
  • Aplikanti, nëse projekt-propozimi i tij përzgjidhet, mund të shpallet fitues vetëm 1 herë brenda 1 viti kalendarik.

 

Karakteristikat e aktiviteteve:

  • Ngjarje me rëndësi për shkëmbim kulturor rajonal dhe ndërkombëtar.
  • Aktivitete përfaqësuese në një sektor të caktuar të kulturës (p.sh. artet vizuale, folku dhe tradita, letërsia, teatri, shfaqje, etj.).
  • Rezidenca kulturore dhe artistike – për të mbështetur praktikën e përbashkët kulturore të atyre që punojnë në arte.
  • Pjesëmarrja e artistëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore në ngjarje rajonale e ndërkombëtare me rëndesi të veçantë, për të forcuar dhe/ose krijuar partneritete të reja.

 

Ku dhe kur duhet të dorëzohet paketa e aplikimit?

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike dhe kopje elektronike te kultura@meki.gov.al me subjekt: Thirrje “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese, të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Adresa: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

E-mail: kultura@meki.gov.al

 

Kur do të shpallet lista e fituesve?

Thirrja do të qëndrojë e hapur për dorëzimin e aplikimeve deri në nëntor 2025.

Informacioni përkatës, si dhe një version elektronik i të gjithë paketës së aplikimit mund të merret nga faqja e internetit: www.meki.gov.al

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike pranë zyrës së protokollit të MEKI, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Adresa:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI),

Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

dhe kopje elektronike te kultura@meki.gov.al me subjekt: Aplikim për “Fondin e Krijimtarisë”.

 

Informimi i aplikantëve

Aplikantët e interesuar mund t’i adresojnë përmes adresës kultura@meki.gov.al, duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri në këtë adresë, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse ose do të botohen në faqen zyrtare të MEKI-t.

Lista e dokumenteve që duhet të shkarkoni dhe të dorëzoni

  1. Formulari i Aplikimit 2025 (Shtojca 2)
  2. Formulari i Projekt-Buxhetit 2025 (Shtojca 3)
  1. Formulari i Aktiviteteve 2025 (Shtojca 4)
  2. Deklarata e Financimit të Dyfishtë (Shtojca 5)
  3. Deklarata e Konfliktit të Interesit (Shtojca 6)
  4. Deklarata e së Drejtës së Autorit (Shtojca 7)
  5. Ftesë nga organizatorët dhe/ose letër pranimi që konfirmon pjesëmarrje
  6. Deklarata e bashkëpunimit mes anëtarevë të grupit të artistëve (partneriteti)

 

Dokumentet e Kërkuara për OJF-të:

  1. a) Kopje e Statutit/Vendimit të Gjykatës të Organizatës;
  2. b) Dokumenti i regjistrimit në organin tatimor (NIPT);
  3. c) CV/portofol i organizatës;
  4. e) Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që organizata nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  5. f) Vërtetim nga Prokuroria që administratori/personi përgjegjës nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  6. g) Vërtetim i llogarisë bankare të organizatës në ALL (lekë).

 

  • Dokumentet e Kërkuara për Personat Fizik
  1. a) Kopje e Certifikatës së Regjistrimit dhe Ekstrakt Historik nga QKB;
  2. b) CV/portofol i aplikantit;
  3. d) Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që aplikanti nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  4. e) Vërtetim nga Prokuroria që administratori nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. f) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë).

 

  • Dokumentet e kërkuara për Individët
  1. a) CV-të e Individit apo Grupit të Individëve që do të angazhohet në projekt (nëse bëhet fjalë për më shumë se një individ);
  2. b) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë);
  3. c) Vërtetimi nga Tatimet që Individi apo Grupi i Individëve nuk është/janë i/të regjistruar në asnjë organ tatimor të Republikës së Shqipërisë;
  4. d) Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. e) Fotokopje e Kartës së Identitetit të Individit/ Grupit të Individëve që do të angazhohen në projekt.

 

Shënim: Me qëllim vlerësimin e projekt–propozimit, dokumentacioni kryesor dhe ai shtesë janë njësoj të vlefshme dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të sipërpërmendura duhet të bëhet në 1 kopje fizike dhe elektronike me email në adresën elektronike të dedikuar për thirrjen pranë MEKI: kultura@meki.gov.al