Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Sot është një ditë njerëzish të mëdhenj.

Në vitin 1911 do të lindte një yll, Migjeni, që ndonëse jetoi pak, vazhdon të rrezatojë e të mbajë një vend nderi në yjësinë e letërsisë shqipe;

Ndërsa 20 vjet më vonë do të lindte Dritëroi, që jetoi gjatë dhe ndriçoi me talentin dhe urtësinë e tij jetën e shqiptarëve, edhe atëherë kur ajo ishte boll e zymtë.

Nuk do të doja asesi të merrja një rol studiuesi e të flisja mbi vlerat e veprës së secilit, por si lexues mund të them me plot gojë, se letërsia shqipe do të ishte e mangët pa Migjenin e Dritëroin.

Për vetë jetën e shkurtër që jetoi, Migjeni na la pas vetëm një tufëz krijimtarie në poezi dhe në prozë, por aq të fuqishme dhe të pakrahasueshme me pararendësit, saqë i krijoi vetes një vend të përjetshëm në letërsinë shqipe.

Migjeni ishte ndoshta i pari që e deheroizoi letërsinë. Shpesh Migjenin e konsiderojnë “poeti i mjerimit”, duke iu referuar poemës së tij të famshme “Poema e mjerimit”, por ndjesia që më le vepra e Migjenit është bukuria.

Migjeni gjente të bukurën edhe atje ku të tjerët nuk e shihnin, madhështoren në gjëra të vogla e ndoshta të përbuzura të kohës.

Migjeni ishte poeti i rinisë së përjeshtme, që na ka lënë amanetin: “Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote”.

Si të parandjente mënxyrat që do të kalonte vendi ynë më pas, Migjeni iku nga kjo botë, duke na lënë pas misterin se çfarë do të kishte bërë në vitet e diktaturës.. Vargu i tij dhe zemra na e thotë se nuk do të ishte konformuar kurrë.

Ismail Kadare do ta quante “Uragan i ndërprerë”, ndërsa unë d ta quaja “të pandërprerë”, pasi ekoja dhe ndikimi i veprës së tij vazhdon të jetë po aq e fuqishme edhe sot.

Dritëroi jetoi në kohëra të tjera. Me të tjera kufizime, frikëra.., pikërisht në kohërat e konformizmit dhe të rrezikut, por edhe brenda asaj korrnize, që quhej “realizmi socialist”, diti të dalë nga skema, duke u bërë një nga poetët dhe prozatorët më të dashur shqiptarë.

Ashtu si Migjeni, ai e zbriti poezinë tek njerëzit, por duke ruajtur një nivel sipëror artistik. Të dy kishin një armë shumë të fortë: gjuhën. Ishin mjeshtër të saj.

Ndaj edhe kënaqësia estetike që ndjejmë kur lexojmë veprat e këtyre dy letrarëve të mëdhenj, është e pamasë.

Veçse Dritëroi pati kohë të maturohejAureolës së tij prej shkrimtari e poeti iu shtua edhe ajo e njeriut të urtë, mikut të të gjithëve. Dritëroi, pavarësisht bindjeve të tij politike, ishte dhe është nga ato figura, që i bën bashkë të gjithë, të majtë e të djathtë. Dera e tij ishte e hapur për të gjithë.

Janë me qindra dëshmitarët që mund të na thonë sot se Dritëroi nuk ishte thjesht një ish-funksionar i lartë i një prej organizmave më të lartë të kulturës dhe artit të para ’90-ës, por mbi të gjitha ishte miku i kudogjendur dhe shtëpia e tij ishte e streha e shumë prej atyre të konsideruar si “armiku i klasës”. Ishte e pakonceptueshme atëherë dhe është po aq edhe sot, se si ai arrinte të ruante ekuilibrat, dhe e vetmja përgjigje që na vjen në mendje ështe që, Drtëroi, mbi të gjitha ishte Njeri!

Ndaj edhe sot është një ditë e veçantë, ndoshta e pamjaftueshme për të mbajtur dy figura të tilla, por që unë jam e bundur që në panteonin e letërsisë shqipe, secili prej tyre ka një vend tepër të veçantë.