Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Mirëmbrëma,

Faleminderit, që pranuat të ishit pjesë e kësaj ceremonie për të festuar së bashku në emër të së bukurës!

Është emocionuese ta shohësh këtë sallë tek frymon jetë sërish!

Një emocion që vibronte në ajër, që prej ditës së parë që nisëm përgatitjet e na përfshiu të gjithëve, teksa dëgjonim zërat e këngëtarëve dhe goditjet e puanteve mbi skenë!

Kemi kaluar 5 vite të pazakontë plot sfida, transformime, tërmete, pandemi, por edhe humbje, rrëzime e ringritje dhe kjo atmosferë na ka munguar të gjithëve, ndaj edhe kjo mbrëmje nuk është thjesht një ceremoni përurimi, por është celebrimi i jetës, që mësuam ta çmojmë edhe më shumë, kur humbëm njerëz të dashur në një betejë absurde, të paimagjinueshme…;

Sot është homazhi për të gjithë ata që na mungojnë, dhe kujtimit të tyre të shtrenjtë u kemi blatuar lulet e bardha që na bënë udhë drejt kësaj salle;

Për korifejtë e këtij teatri, ëndrrat e të cilëve ishin më të mëdha se kjo skenë, por diktatura u ofroi vetëm izolim;

Për prindërit tanë, që skenat e mëdha mund t’i shihnin veç përmes kanaleve televizive të ndaluara;

Për yjet që shkëlqejnë fort në skenat e mëdha botërore, pa harruar se fluturimin e nisën pikërisht këtu!

Çdo duartrokitje sot është për artistët, për ata që sollën art në hapësirat e zymta të këtij teatri, që makijazhi nuk ia mbulonte dot plagët e degradimit;

Por është edhe falenderim për njerëzit e guximshëm që vendosën të investojnë në kulturë me bindjen se pa kulturë nuk ka të ardhme…

Që tejkaluan filozofinë e “andrrave” dhe fasadave, për të drejtuar një operacion të vështirë, që riktheu në jetë zemrën e lodhur të këtij teatri;

Mirënjohje për të gjithë ata që kaluan orë e orë pa gjumë, për të ndërtuar këtë ëndërr:

Faleminderit Kryeministër,

Faleminderit Mirela, që guxove, kur të gjithë e quanin të pamundur! Faleminderit që më kaluat stafetën dhe më bëtë pjesë të kësaj ngjarjeje historike!

Padyshim që po startojmë një kapitull të ri për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, që do të rrezatojë më tepër kulturë dhe një mendësi të re hapjeje drejt nivelesh të reja.

Është teatri i së ardhmes, i fëmijëve tanë, shpresa dhe dëshira për t’ju kthyer normalitetit dhe sallave plot.

Kjo skenë u takon artistëve dhe sot, politika le të jetë spektatore, ndonëse janë vendimet e guximshme dhe vizionare që sollën edhe ringritjen e këtij teatri, këtë investim madhor, më të madhin e dekadave të fundit.

E GËZOFSHIM KËTË TEATËR!