Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Për shumë prej jush sot është një ditë e veçantë, sepse do të shihni në ekranin e madh rezultatin e punës suaj. Por po kaq e veçantë është edhe për mua, pasi këto filma që do të shfaqen sot këtu, janë rezultat i një besëlidhjeje; I paktit për Universitetin.

Jemi mbledhur shpesh herë në ambientet e Universitetit të Arteve, për të diskutuar mbi format e bashkëpunimit. Shumë nuk i besonin këtij pakti, duke e konsideruar si një propagandë, por fakti, që sot jemi këtu, tregon se nuk është thjesht një marrëveshje në letër, as një shtrëngim duarsh për efekt kamerash.

Por një ndihmë konkrete: mbështetja e 13 veprave të kineastëve të rinj, duke i nxitur ata në rrugën e krijimtarisë, por edhe duke dhënë një ndihmë sado modeste në industrinë e kinematografisë.

Për vetë specifikën, Ministria e Kulturës ka qenë më pranë Universitetit të Arteve dhe jo pa krenari mund të themi se UA është universiteti që ka përfituar më shumë nga ky pakt. Jo vetëm që dyert e të gjitha institucioneve tona janë të hapura për të gjithë studentët që duan të realizojnë praktikat, diploma, të bëhen pjesë e procesit të realizimit të një vepre artistike, qoftë kjo teatër, opera, balet etj.,

Por ndërkohë ambientet e rinovuara të godinës historike të UA nuk kanë nevojë për komente të tepërta. Por ky është vetëm fillimi.

Universiteti i Arteve do të ketë një kampus universitar të ri dhe dinjitoz, që do ta kthejë gjithë zonën përreth në një pol të rëndësishëm kulturor.

Godina historike dhe salla e koncerteve do të jenë vetëm zemra e këtij kampusi, që nuk do t’u shërbejë vetëm studentëve e pedagogëve, por artistëve e publikut.

Më shumë hapësira studimi, performuese, çlodhjeje.

Dy salla të reja shfaqjesh do të shtohen, duke i dhënë këtij universiteti gjithë dinjitetin që meriton, për hir të talenteve që dalin prej këtu, por edhe gjithë atyre brezave të artistëve që e nisën rrugëtimin që këtu fare të rinj dhe u rikthyen si pedagogë, duke ndarë përvojën me brezin e ri.

Po jetojmë kohëra të jashtëzakonshme dhe pavarësisht pengesave Ministria e Kulturës do të jetë gjithnjë në mbështetje të të rinjve. Madje ky realitet i ri na bëri të reflektojmë dhe të rishohim prioritetet tona, duke u fokusuar më shumë tek e ardhmja.

Dhe e ardhmja janë të rinjtë.

Uroj shumë që kjo periudhë të mos mbetet shenjë në jetët dhe krijimtarinë e tyre, përveçse për vepra frymëzuese..