Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Në një ceremoni, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, juria e Konkursit “Libri i Karantinës”, ka bërë publike tre autorët fitues mes 82 dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë kompeticion.

Juria, e përbërë nga Rita Petro, Durim Abdullahu, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri dhe Loer Kume, ka vlerësuar si librat më të mirë të konkursit “Libri i Karantinës” veprat e mëposhtme:

“I liri”, me autor Lum Gashin, me motivacionin:

“Për prekjen dhe përshkrimin e gjallë dhe të imët të karaktereve e situatave të zakonshme, duke i përcjellë fuqishëm përmes forcës artistike; një autor që arrin të kthejë jetën e përditshme në një art të madh”.

“Tregime”, me autor Ervin Nezhën, me motivacionin:

“Për stilin befasues, mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve, si vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip”.

“Grupi Bella Ciao”, me autor Vera Bekteshin, me motivacionin:

“Për kulturën e lartë të shkrimit, karakteret e spikatura, ironinë dhe humorin, përmes së cilës ‘vizaton’ kohën e koronavirusit”.

Tri veprat fituese do të botohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.