Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Thirrje për Projekte: Pavijoni Shqiptar në Bienalen e Venecias, 2025

Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, Bienale e Venecias, 2025, edicioni 19-të  Venecia, 10 Maj – 23 Nëntor 2025 (para-hapje 8 dhe 9 Maj)

Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në cilësinë e komisarit të pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun në periudhën 10 maj – 23 nëntor 2025 (para-hapje 8 dhe 9 maj) në Giardini, Arsenale dhe vende të tjera në Venecia, me temë: “Intelligens.Natyrale. Artificiale.Kolektive”

Tema e kësaj Bienaleje “Intelligens.Natyrale.Artificiale.Kolektive është përzgjedhur nga Kuratori i edicionit të 19-të arkitekti Carlo Ratti, i cili e ka motivuar zgjedhjen e tij si vijon:

Në lidhje me zgjedhjen e titullit, sipas kuratorit Carlo Ratti: “Temat e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës zakonisht shpallen në anglisht dhe italisht. Në vitin 2025 do të përmblidhet në një fjalë të vetme për të dyja gjuhët duke evokuar origjinën e përbashkët nga latinishtja: “Intelligens”. Nga fjala “Intelligens” rrjedh termi modern “inteligjencë”, i cili gjithashtu ngjall një gamë më të gjerë kuptimesh të ndërlidhura. Në fakt, rrokja e fundit, “gens” në latinisht do të thotë “njerëz”. Nga këtu del një rrënjë e re, imagjinare, që sugjeron një të ardhme të inteligjencës që është gjithëpërfshirëse, e shumëfishtë dhe imagjinuese përtej fokusit të sotëm të kufizuar në inteligjencën artificiale.

“Edicioni i 19-të do t’i kushtohet mjedisit të ndërtuar dhe disiplinave të shumta që i japin formë atij. Arkitektura është në qendër të tyre por jo vetëm, është pjesë e një konteksti më të gjerë që duhet të integrojë artin, inxhinierinë, biologjinë, shkencat sociale dhe politike dhe disiplina të tjera në hapësirën urbane.

Mjedisi i ndërtuar është ndër kontribuesit kryesorë në emetimet e substancave në ajër. Në këtë kuptim, arkitektura mund të fajësohet për pjesën më të madhe të degradimit mjedisor të planetit. Përballë përshpejtimit të krizës klimatike, a duhet të hiqet dorë nga ky rol, apo mund të ofrohen zgjidhje thelbësore, efektive dhe të shpejta. Ekspozita do të përpiqet të përshkruajë rrugë të reja për të ardhmen, duke sugjeruar një sërë zgjidhjesh për problemet më urgjente të së tashmes. Ajo do të bashkojë një koleksion propozimesh eksperimentale të projektimit, të frymëzuara nga përkufizimi i “inteligjencës” si aftësia për t’u përshtatur me mjedisin duke filluar nga një grup i kufizuar burimesh, njohurish apo fuqish. Ekspozita i imagjinon arkitektët si “agjentë mutagjenë”, të aftë për të nxitur proceset evolucionare dhe për t’i orientuar ata në drejtime të reja. Duke mësuar nga disiplina të shumta shkencore dhe duke përparuar përmes provave dhe gabimeve, kjo ekspozitë synon të përshpejtojë transformimin e së tashmes, në kërkim të së ardhmes më të mirë.”

Për më shumë informacion mbi tematikën, vizitoni faqen e Bienales së Venecias 2025, https://www.labiennale.org/en/architecture/2025

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.

Me synimin për të patur koordinim dhe koherencë midis Pavioneve Kombëtare me temën e Ekspozitës, Kuratori inkurajon vendet pjesëmarrëse të trajtojnë temën e përbashkët “Një vend, një zgjidhje“, “për të evidentuar në çfarë mënyrash zgjuarsia njerëzore mund t’i japë përgjigje sfidës kryesore të kohës sonë: një sfidë që mund të trajtohet vetëm në bashkëpunim, përmes një morie qasjesh të ndryshme. Ftohen të gjitha vendet të ndajnë histori suksesi: së bashku, ata do të krijojnë një “set mjetesh” për një të ardhme më të mirë.”

Ekspozita e 19-të Ndërkombëtare e Arkitekturës do të prezantojë, si zakonisht, Pjesëmarrjet Kombëtare me ekspozitat e veta në pavijonet në Giardini dhe Arsenale, si dhe në qendrën historike të Venecias.

PROFILI I KANDIDATËVE

  • Të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre arkitektë (drejtues i grupit), artistë, graphic designer, kritikë arti, artizanë, sociologë urbanë, planifikues urbanë etj.
  • Të dëshmojnë njohuri shumë të mira mbi arkitekturën shqiptare.
  • Të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, arkitekturës eko-miqësore, urbanistikës dhe peizazhit e cila të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve.
  • Mund të jenë shqiptarë apo të huaj.

KANDIDATI DUHET TË JETË I AFTË:

  • Të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent.
  • Të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të shkruar për panelet e ekspozitës.
  • Të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales.
  • Të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.

PËRZGJEDHJA DO TË KALOJË NËPËR DY FAZA:

Faza I: është faza e përzgjedhjes së projekt-ideve më të mira. Kjo fazë është e hapur nga data 1 gusht 2024 deri më 30 shtator 2024 ora 24.00.

Shpallja e fituesve të Fazës I: Juria do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 7 tetor 2024.

Faza II: është faza e paraqitjes së projekteve të plota të pavionit shqiptar në Bienale mbi projekt-idetë e kualifikuar në fazën e parë. Këto projekte duhet të paraqiten deri me datë 4 nëntor 2024, ora 24.00. Juria do të shpallë kërkesat mbi paraqitjen e projektit të plotë menjëherë pas shpalljes së fituesve të fazës së parë.

Shpallja e fituesit: Projekti dhe ekipi fitues do të shpallet brenda datës 11 – 17 nëntor 2024.

PROCEDURA E PËRZGJEDHJES

Projekt-idetë dhe projektet e plota do të shqyrtohen nga një juri ndërkombëtare me 5 anëtarë. Vlerësimi i Jurisë do të bazohet në kriteret e mëposhtme:

  1. Qartësinë e projekt-idesë
  2. Forcën e imagjinatës
  3. Potencialin e zgjidhjes kuratoriale për të komunikuar me publikun
  4. Qartësinë e temës dhe potencialin e të bërit të prekshëm, të dukshëm dhe të komunikueshëm të temës.
  5. Fuqinë artistike dhe vizuale të projektit (idesë) dhe kapacitetin e tij për t’u “përkthyer” në një gjuhë dhe peizazh vizualisht të fortë
  6. Fuqinë e ekipit/skuadrës për të reflektuar gjerësisht dhe thellësisht mbi temën e dhënë dhe për të sjellë risi në përmbajtje.
  7. Kapacitetin dhe eksperiencën për të komunikuar arkitekturën tek audienca dhe kritikët si dhe për të zhvilluar audienca të reja.

DOSJA E KANDIDIMIT PËR FAZËN I:

Dosja e kandidatit duhet të përmbajë:

  1. Formularin e kandidimit ( shkarkojeni KËTU)
  1. Një sinopsis të artikuluar qartë mbi temën e dhënë (1000 fjalë) “Intelligens. Natyrale. Artificiale. Kolektive”
  1. Metodën e hulumtimit, gjetjet e parashikuara dhe si do të jetëzohen ato në pavijon.
  2. Imazhe që ilustrojnë vizionin për ekspoziten
  3. Portofoli i punimeve të realizuara nga ekipi dhe/ose anëtarët e tij.
  4. CV-të e pjesëtarëve të ekipit dhe drejtuesit të tij (deri në një faqe secili).

Kandidatët janë të lirë të zgjedhin format dhe mjetet për paraqitjen e idesë së tyre. Ata ftohen të respektojnë udhëzimet e përcaktuara nga Kuratori i Bienales së 19-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia që i gjeni në faqen e Bienales së Venecias 2025, www.labiennale.org.

TË DHËNA TEKNIKE PËR PAVIJONIN SHQIPTAR:

Pavijoni shqiptar do të vendoset në Arsenale. Planimetria, prerja dhe foto e pavijonit gjenden KËTU.

Dorëzimi i dosjes:

Dosja duhet :

  1. të përgatitet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht
  2. të dërgohet me postë (në formë të printuar dhe digjitale) në vëmendje të Sekretarisë Teknike të Bienales në adresën: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë
  3. të dërgohet elektronikisht në adresën: biennale2025@meki.gov.al
  4. të dërgohet brenda datës 30 shtator 2024 ora 24.00 (Faza I).