Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Mbështetur në politikat e Qeverisë Shqiptare për kulturën, si dhe në vizionin e përbashkët për Shqipërinë turistike, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hap Thirrjen për Projekte për vitin 2024, me qëllim krijimin e një klime nxitëse e mbështetëse për komunitetin artistik, për të gjallëruar e pasuruar jetën kulturore, si dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore materiale e jomateriale, përmes urave inovative të komunikimit me publikun e duke nxitur zhvillimin ekonomik kombëtar.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të mbështesë projekte të cilat nxisin krijimtarinë artistike të individëve apo grupeve të individëve. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të vazhdojë të mbështesë financiarisht sektorët kulturorë dhe veprimtaritë, të cilat bazohen në shprehje krijuese artistike bashkëkohore individuale ose kolektive, por edhe ato që përcjellin traditat dhe vlerat më të mira të trashëgimisë sonë jomateriale, aktivitete që kanë impakt të prekshëm në një publik të gjerë dhe që mbajnë gjallë skenën e pavarur kulturore në vendin tonë, jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë.

Përmes teknologjisë, aplikacioneve digjitale, tureve virtuale, audio-guidave, krijimeve multimediale, muzeve virtualë, krijimit të lojërave interaktive argëtuese dhe edukuese për fëmijët e vegjël dhe qasje të tjera, synohet të prekim një publik tepër të gjerë, që nga grupmoshat më të vogla, të cilat mësojnë shprehitë e para për familjen, atdheun, tokën, kulturën, trashëgiminë; te nxënësit dhe të rinjtë; publikun në skajet më të largëta që ka akses te teknologjia përmes smartfonëve e kompjuterit; padyshim publikun e huaj, që përmes një gjuhe universale, atë të teknologjisë, do të mësojnë më shumë për Shqipërinë, duke u mbështetur në programin “Edukimi përmes kulturës”.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të mbështesë financiarisht artizanët dhe profesionistët në fushën e artizanatit dhe të zejtarisë për të ndihmuar e zhvilluar ekonomitë e vogla lokale. Këto projekte do të nxisin krijimtarinë dhe do të ndihmojnë në rikthimin e vëmendjes dhe përcjelljen e zanateve dhe profesioneve, të cilat po rrezikojnë zhdukjen nën ndikimin e kohës. Industria kreative është mënyra më e mirë për të promovuar dhe ngritur në art trashëgiminë tonë kulturore sipas motos: “Kultivojmë traditën, përqafojmë risitë”.

Kush mund të aplikojë?

Thirrja për aplikim për projekte synon të mbështesë financiarisht me fonde publike projekt-propozime të paraqitura nga persona juridikë të regjistruar si OJF, individë, si edhe persona fizikë të regjistruar në QKB, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre promovimin, mbrojtjen, ruajtjen, përcjelljen dhe digjitalizimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Afati i Aplikimit:

Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 9 shkurt deri në datën 1 mars. Periudha e realizimit të projekteve do të jetë mars – 5 dhjetor 2024.

Mënyra e Aplikimit:

Dokumentacioni dorëzohet në formë të printuar, direkt ose me rrugë postare, në Zyrën e Protokollit te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (Rr. “Ibrahim Rugova”, pranë parkut “Rinia”) dhe elektronikisht në adresën kultura@meki.gov.al.

Shkarko dhe plotëso dokumentacionin e mëposhtëm:

 

Njoftohen aplikantët e Thirrjes 2024 për projekte në art kulturë dhe trashëgimi se për shkak të numrit të konsiderueshëm të aplikimeve dhe të pushimeve zyrtare të njëpasnjëshme brenda afatit të shpalljes së fituesve, publikimi i listës së fituesve do të bëhet në datën 25 mars 2024.