Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Lundroni në këtë Seksion

Albi Greva mban detyrën e Këshilltarit të Ministrit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Si një profesionist i njohur në fushën e menaxhimit, ka një përvojë të gjatë e të larmishme 30 vjeçare në sektorin privat dhe organizma ndërkombëtare.

Experienca e më shumë se 17 viteve në drejtimin e sektorëve të rëndësishëm të korporatave të industrisë së telekomunikacionit në Shqipëri ka kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e tij profesional, veçanërisht gjatë kontributit në krijimin e drejtimin e Fondacionit Vodafone Albania [2007-2018]; hartimin dhe menaxhimin e programit të Përgjegjshmërisë Sociale të Vodafone Albania [2005-2007], i pari program në këtë fushë për kohën mes komunitetit shqiptar të bizneseve; krijimi e drejtimi i sektorit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun për kompaninë AMC [One Communication]. Gjithashtu ka ushtruar detyrën e drejtuesit të Marketingut për kompaninë Gener2 [2020-2023]; Në bashkëpunim me Union Group, ka krijuar dhe menaxhuar organizimin e edicionit të parë të eventit ‘Tirana Tech Open’ – dedikuar vënies në përdorim të të rejave të teknologjisë në edukim, inovacion dhe investime.

Eksperienca përfshin edhe punën me organizma ndërkombëtare si UNDP [1992-2001] dhe IOM [2003-2005] në projekte të ndryshme për Shqipërinë. Në rolin e konsulentit ka ofruar ekspertizë për projektin “Fondi i Investimit për Impakt Social” të UNDP-së [2019] me synim kryerjen e përmirësimeve të nevojshme në ligj, rregullore e procese që lidhen me mirëadministrimin e fondit në mbështetje të nevojave të komunitetit me aftësi ndryshe.

Krahas përvojës profesionale, ka qënë anëtar i Bordit Menaxhues të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit [2022-2024] në Tiranë. Gjithashtu ka pasur një karrierë të pasur sportive 30 vjecare kombëtare e ndërkombëtare si gjyqtar basketbolli. Eshtë licensuar si gjyqtar ndërkombëtar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) përgjatë dy dekadave [1993-2014], duke përfaqësuar Shqipërinë në një gamë prej 475 aktivitetesh zyrtare të FIBA.