Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) përmes Thirrjes së hapur për aplikime për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore ofron mundësinë e mbështetjes financiare për individë të cilët operojnë në këto fusha.

Kjo thirrje synon mbështetjen e nismave individuale për krijimtarinë artistike në fusha të ndryshme të artit si: arte pamore, muzikë, balet, art skenik, art letrar, multimedia dhe fusha të tjera të lidhura me art, kulturë dhe trashëgimi kulturore.

Çfarë parashikon çdo kategori?

Granti për Fondin e Krijimtarisë është një risi e Thirrjes 2025, dhe përmes tij mbështeten financiarisht:

  • Arti pamor, procesi krijues për realizimin e instalacioneve artistike, pikturën, fotografinë, skulpturën, grafikën, etj.
  • Muzika dhe baleti: procesi krijues për realizimin e këngës, realizimin e veprave instrumentale, kompozicion në zhanreve të ndryshme, koreografi, krijimtari në fushën e baletit, etj.
  • Arti skenik: shkrimi i monodramës, shkrimi i dramës, etj.;
  • Arti letrar, përfshirë publicistikë bashkëkohore dhe albume rreth artit, trashëgimisë kulturore, etj.;
  • Multimedia

Kjo thirrje ka prioritet:

  1. Mbështetje dhe fuqizim i krijimtarisë artistike të individëve artistë të fushave të ndryshme të artit
  2. Rritja e nivelit artistik të krijimtarisë individuale
  3. Nxitja e artistëve të rinj shqiptarë për të krijuar art cilësor
  4. Nxitje e skenës së pavarur artistike

Fondi për Thirrjen “Fondi i Krijimtarisë” 2025

Fondi total për mbështetjen e thirrjes “Fondi i Krijimtarisë” është 30,000,000 (tridhjetë milion) lekë.

Fondi maksimal i mbështetjes për aplikantin fitues është deri në 1,000,000 (një milion) lekë në varësi të projekt-propozimit të paraqitur, cilësisë artistike, impaktit të veprës.

Kush mund të aplikojë në këtë thirrje?

Aplikimi është i hapur për të gjithë individët, artistët, personat fizikë që operojnë në fushën e artit dhe krijimtarisë artistike.

Kriteret e përgjithshme:

  • Të jenë shtetas shqiptarë.
  • Të mos ketë financim të dyfishtë në zërat e buxhetit nga donatorë të tjerë.
  • Të mos ketë konflikt interesi mes aplikantit dhe institucionit publik. Punonjësit e MEKI-t apo institucioneve në varësi të saj nuk mund të aplikojnë.
  • Drejtuesit ekzekutiv të OJF nuk mund të aplikojnë si individë në këtë kategori.
  • Aplikanti, nëse projekt-propozimi i tij përzgjidhet, mund të shpallet fitues vetëm 1 herë brenda 1 viti kalendarik.

 

Ku dhe kur duhet të dorëzohet paketa e aplikimit?

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike dhe kopje elektronike te kultura@meki.gov.al me subjekt: Thirrje “Fondi i Krijimtarisë, të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Afati kohor maksimal për dorëzimin e aplikimit është data 28 shkurt 2025, ora 14:00.

Adresa: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

E-mail: kultura@meki.gov.al

Kur do të shpallet lista e fituesve?

Afati maksimal për dorëzimin e aplikimeve është 28.02.2025, ora 14:00. 

Lista e fituesve do të publikohet më 21.03.2025 në faqen zyrtare të meki.gov.al .

Informacioni përkatës, si dhe një version elektronik i të gjithë paketës së aplikimit mund të merret nga faqja e internetit: www.meki.gov.al

Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike pranë zyrës së protokollit të MEKI, gjatë ditëve të punës (e hënë – e premte) gjatë orarit zyrtar:

Adresa:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI),

Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Tiranë, Shqipëri

dhe kopje elektronike te kultura@meki.gov.al me subjekt: Aplikim për “Fondin e Krijimtarisë”.

Informimi i aplikantëve

Aplikantët e interesuar mund t’i adresojnë pyetjet përmes adresës kultura@meki.gov.al, duke iu referuar thirrjes publike. Pyetjet mund të dërgohen deri më 21.02.2025, ndërsa përgjigjet do të jepen me shkrim brenda 5 ditëve pune që nga data e pranimit të pyetjeve përkatëse ose do të botohen në faqen zyrtare të MEKI-t.

Lista e dokumenteve që duhet të shkarkoni dhe të dorëzoni

Dokumente për aplikim (të vlefshme për të gjitha kategoritë)

  1. Udhëzuesi dhe Prioritetet për Thirrjen 2025 (Shtojca 1)
  2. Formulari i Aplikimit 2025 (Shtojca 2)
  3. Formulari i Projekt-Buxhetit 2025 (Shtojca 3)
  4. Formulari i Aktiviteteve 2025 (Shtojca 4)
  5. Deklarata e Financimit të Dyfishtë (Shtojca 5)
  6. Deklarata e Konfliktit të Interesit (Shtojca 6)
  7. Deklarat e të Drejtës së Autorit
  8. Lista e dokumenteve shoqëruese të aplikimit (Shtojca 7)

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të jenë të përditësuara, jo më vonë se 3 muaj nga afati i aplikimit.

  • Dokumentet e Kërkuara për Personat Fizik
  1. a) Kopje e Certifikatës së Regjistrimit dhe Ekstrakt Historik nga QKB;
  2. b) CV/portofol i aplikantit;
  3. d) Vërtetim nga Drejtoria e Tatim-Taksave që aplikanti nuk ka detyrime të pashlyera për sa i përket kontributeve për sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatim-taksat;
  4. e) Vërtetim nga Prokuroria që administratori nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. f) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë).
  • Dokumentet e kërkuara për Individët
  1. a) CV-të e Individit apo Grupit të Individëve që do të angazhohet në projekt (nëse bëhet fjalë për më shumë se një individ);
  2. b) Vërtetim i llogarisë bankare të aplikantit në ALL (lekë);
  3. c) Vërtetimi nga Tatimet që Individi apo Grupi i Individëve nuk është/janë i/të regjistruar në asnjë organ tatimor të Republikës së Shqipërisë;
  4. d) Vërtetim nga Prokuroria që nuk është në ndjekje penale dhe vërtetim nga Gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
  5. e) Fotokopje e Kartës së Identitetit të Individit/ Grupit të Individëve që do të angazhohen në projekt.

 

Shënim: Me qëllim vlerësimin e projekt–propozimit, dokumentacioni kryesor dhe ai shtesë janë njësoj të vlefshme dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të sipërpërmendura duhet të bëhet në 1 kopje fizike dhe elektronike me email në adresën elektronike të dedikuar për thirrjen pranë MEKI: kultura@meki.gov.al